16.02.2010
BE-ja është e angazhuar për mbrojtjen e Trashëgimisë Fetare dhe Kulturore në Kosovë, si një pjesë veçanërisht e pasur e Trashëgimisë së përbashkët Evropiane dhe Botërore.
Në këtë kontekst Qeveria e Greqisë është pajtuar që të verë në dispozicion shërbimet e Shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, Ambasadorit Dimitris Moschopoulos, si Ndërmjetësues për Mbrojtjen e Trashëgimisë Fetare dhe Kulturore të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Kjo është në linjë me detyrimet e Kosovës në fushën e Trashëgimisë Fetare dhe Kulturore.
Ambasadori Moschopoulos do të ndërmjetësojë zhvillimin e politikave të integruara të konservimit për trashëgiminë fetare dhe kulturore dhe do të angazhohet aktivisht në ngritjen e vetëdijesimit dhe respektimit të trashëgimisë kulturore.
Zyra e EUSR-së do të përkrahë Ndërmjetësuesin në përmbushjen e mandatit të tij ashtu si kërkohet.